Secondary Adv

Reshjet e shiut: Situata më problematike në Gjirokastër, Erzeni del nga shtrati

Reshjet intensive të shiut dhe dëborës kanë përkeqësuar situatën në disa qarqe të vendit, me problematika të theksuara në jug dhe në zonat pranë lumenjve.

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar një përditësim mbi situatën e krijuar nga moti i keq në vend, ku reshjet e dendura të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve. Zonat më të prekura mbeten ato malore dhe territoret pranë lumenjve.

 

Gjirokastra, zona më problematike

Sipas njoftimit zyrtar, Qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike. Në Bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në Njësinë Administrative Picar, ndërsa lumi Drino në aksin Gjirokastër–Tepelenë i është afruar trupit të rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Po ashtu, vijon puna për hapjen e disa akseve të bllokuara në zonat Odrie, Lunxhëri dhe Zagori, si dhe për riparimin e një ure të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë.

 

Në Bashkinë Dropull, ura e Glinës vijon të mbetet problematike, ndërsa ekipet janë në terren për pastrimin e akseve Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë, të bllokuara nga dëbora. Situatë e vështirë raportohet edhe në Bashkinë Përmet, ku aksi Përmet–Dogana e Tre Urave është i bllokuar, si dhe në Njësinë Administrative Frashër dhe fshatrat përreth.

 

Në Bashkinë Memaliaj raportohet gërryerje e tokave bujqësore nga lumi Vjosë, ndërsa në Tepelenë qarkullimi në aksin Tepelenë–Gjirokastër, në zonën e njohur si “Shkalla e Zezë”, realizohet vetëm me një korsi.

 

Situata në qarqe të tjera

Qarku Lezhë është përfshirë nga reshje dëbore edhe në zonat e ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës. Strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri për mbajtjen hapur të akseve rrugore, ndërsa është përfunduar riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë.

 

Në Qarkun Vlorë raportohet përmirësim i situatës sa i përket prurjeve të lumit Vjosë. Nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar, por nuk ka raportime për banesa të përmbytura, vetëm prani uji në oborre.

 

Qarku Elbasan po përballet me dëborë dhe ngrica në zonat malore të bashkive Elbasan dhe Peqin, ku disa akse rurale janë bllokuar nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Mjetet dhe punonjësit ndodhen në terren për normalizimin e situatës.

 

Edhe Qarku Dibër mbetet ndër zonat më të prekura. Forcat e emergjencave civile po ndërhyjnë në disa segmente me prezencë akulli dhe rrëshqitje dherash, ndërsa ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në njësitë Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë. Disa rrugë janë aktualisht të pakalueshme, por policia ndodhet në terren për orientimin e qarkullimit.

 

Erzeni del nga shtrati në Durrës

Dalja e lumit Erzen nga shtrati ka shkaktuar një situatë problematike në fshatin Jubë, në qarkun e Durrësit. Përmbytjet kanë mbuluar toka bujqësore, rrugë dhe zona të gjera rurale, ndërsa sipas pamjeve të siguruara, uji ka depërtuar edhe në varrezat e fshatit.

 

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave janë në monitorim të vazhdueshëm të nivelit të lumit Erzen, ndërsa situata mbetet e paqëndrueshme dhe e varur nga reshjet dhe prurjet në orët në vijim.

Burimi: Ballkanweb.com


Më të lexuarat